Gjykata e Tiranës i komunikoi të enjten masën e sigurisë “arrest me burg” Hektor Xhecukës, 30-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e Emiljano Bocit dhe plagosjen e mikut të viktimës, ngjarje kjo e ndodhur në janar të këtij viti në kryeqytet.

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës kishte caktuar paraprakisht masën e sigurisë “arrest me burg” dhe në seancën e kësaj të enjteje gjykata konfirmoi se policia kishte ndaluar personin e duhur ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë në mungesë.

Ndonëse kjo ishte një seancë komunikimi, avokati i të akuzuarit për vrasje me paramendim nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj klientit të tij. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, gjykata rikonfirmoi masën e dhënë paraprakisht për Hektor Xhecukën.

Burime nga brenda seancës bëjnë me dije se akuza ndaj të arrestuarit ka të bëjë vetëm me ngjarjen e 14 janarit të këtij viti, ku mbeti i vrarë Emiljano Boci dhe u plagos miku i tij, Melvi Disha.

Përgjime ambientale dhe telefonike si dhe metoda të tjera speciale të kryera gjatë hetimeve të këtyre 10 muajve, duket se kanë orientuar grupin e hetimit drejt Hektor Xhecukës, si autorin e kësaj ngjarjeje. Për momentin nuk jepen të dhëna mbi motivet e këtij krimi, nëse Xhecuka e ka kryer për llogari të tij apo i shtyrë ose i paguar nga të tjerë.

Top Channel