Në tregun e hapur farmaceutik, barnat nuk shiten sipas “ligjit të barnave”. Kjo, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk kanë paketimin dhe fletën shoqëruese në gjuhën shqipe.

Në tregun farmaceutik gjen barna që kanë fletët shoqëruese në gjuhën turke, atë angleze, atë gjermane, apo pothuajse në të gjitha gjuhët e vendeve europiane. Por, me informacion në gjuhën shqipe janë të pakta medikamentet që shiten në treg të hapur.

Burime të Top Channel thonë se nuk mund t’iu kërkohet kompanive të mëdha që të bëjnë paketimin në shqip, pasi tregu farmaceutik shqiptar është i vogël dhe kompanitë nuk kanë interes.

Ata, ose duhet të rrisin çmimin e barnave, ose të largojnë ilaçin nga tregu, duke krijuar mungesa të theksuara. Por, megjithatë, Top Channel u interesua pranë Agjencisë së Barnave, e cila njofton se po punohet për të bërë një format të njëjtë për fletën shoqëruese që do të kenë të gjitha barnat që hyjnë në tregun shqiptar.

“Ka nisur procesi i implementimit të fletudhëzuesit në gjuhën shqipe, proces i cili është në vazhdim për të gjitha barnat e autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë”.

Ndërsa për sa i përket paketimit – sqaron Agjencia e Barnave, – me vendim të Këshilit të Ministrave, informacioni që paraqitet në paketimin e medikamenteve mund të jetë në gjuhën shqipe, gjuhën angleze, ose në një gjuhë të vendeve anëtare të BE-së.

Këtu përfshihen edhe gjuhët sllovene, kroate, rumune, apo çdo gjuhë latine. Në paketimin e jashtëm, përveç informacionit në një nga këto gjuhë, mundet që kompania farmaceutike të përfshijë informacionin mbi ilaçin në një ose disa gjuhë të tjera, sipas rajonit në të cilin qarkullon ilaçi.

“Task forca” e ngritur nëpër farmaci – thekson Agjencia e Barnave, – do të nxjerrë në pah çdo shkelje që bëhet me ligjin e barnave dhe Agjencia do të vijojë kontrolle jo vetëm te farmacitë, por edhe tek importuesit e autorizuar.

Top Channel