Taksa shtesë për produktet serbe, qeveria e Kosovës: Beogradi lobon kundër shtetësisë

07/11/2018 13:28

Qeveria e Kosovës mori vendim t’iu vendosë taksa shtesë produkteve nga Serbia që hyjnë në Kosovë, si një kundërpërgjigje ndaj “fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Me masën shtesë të taksës prej 10 për qind për mallrat serbe, por edhe ato të Bosnjë-Hercegovinës, qeveria tenton të godasë edhe këtë të fundit, për shkak se ky vend ballkanik nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, Serbia eksporton në Kosovë mallra me vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit.

“Qeveria e Serbisë, me paratë e fituara në Kosovë po lobon gjithandej për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës”, thotë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj. “Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse ajo vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës. Masat ekonomike janë vetëm hapi i parë. Nëse Bashkimi Europian nuk shfrytëzon ndikimin për t’u dhënë fund veprimeve destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar të veprojmë vet”, tha më tej Hoxhaj.

Por, vendimi i qeverisë së Kosovës ka shqetësuar Bashkimin Europian dhe Beogradin zyrtar. Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç tha për mediet lokale në Prishtinë se “veprimi i qeverisë së Kosovës është shkelje e detyrimeve të Kosovës, sipas marrëveshjes së CEFTA-s”.

Ashpër ka reaguar edhe Beogradi zyrtar, i cili thotë se, me vendosjen e taksës shtesë prej 10 për qind për mallrat serbe dhe ato boshnjake, qeveria e Kosovës ka pamundësuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha në një konferencë për shtyp pas vendimit të Prishtinës se, “lufta tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konflikt i drejtpërdrejtë me normalitetin”.

Top Channel