Lëvizjet për njohjen e pavarësisë së kishës ukrainase mund ta ndajnë botën ortodokse në dy kampe të mëdha rivale: atë prorus e atë properëndimor.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe patriarku ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I, firmosën një marrëveshje të shtunën, e cila i hapte rrugën njohjes së Autoqefalisë së Kishës Ortodokse ukrainase, e kjo pritet ta thellojë zemërimin e ndierë në Moskë, Patriarkana e së cilës e ka pasur për shekuj me radhë juridiksionin mbi këtë kishe, ndërsa pritet të lëshojë një valë të re akuzash kundër Bartolomeut.

Pavarësia e Kishës Ortodokse ukrainase është kthyer në subjekt të nxehtë diskutimesh e qëndrimesh në botën ortodokse, mjaft kisha të së cilës, përfshirë atë serbe, e kanë mbështetur vendimin e kishës ruse për të shkëputur marrëdhëniet me Patriarkanën ekumenike, pas njoftimit të saj se ka ndërmend të njohë kishën ukrainase.

Në Ballkan, kisha serbe është në linjën e parë të kritikave kundër Bartolomeut, duke e dëshmuar veten edhe njëherë si aleaten më të vyer të Moskës. Por, ajo ka edhe arsye të tjera për t’iu kundërvënë njohjes së Kishës Ortodokse ukrainase. Sipas BIRN-it, edhe dy kisha të tjera rebele, ajo e Maqedonisë dhe Malit të Zi, e shohin precedentin e Ukrainës si një rreze shprese për pritshmëritë e tyre të hershme.

Në perëndim, ndërkohë, mediet kanë pasur tendencën ta lidhin sherrin e kishës me situatën më të gjerë të Ukrainës, duke nënkuptuar se roli i Rusisë në luftën e rajoneve lindore të vendit dhe aneksimi i Krimesë kanë qenë faktorë nxitës për këtë njohje.

Top Channel