Komisioni parlamentar për Mandatet dhe Imunitetin në Maqedoni vendosi t’i rekomandojë Parlamentit heqjen e mandatit të deputetit për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, pas shkresës së Gjykatës Penale në Shkup, e cila e dënoi atë me dy vite burg.

Pesë ligjvënës të partive qeveritare votuan pro heqjes së mandatit, ndërsa kolegët e Gruevskit në Parlament nga partia VMRO-DPMNE u larguan nga seanca, para se të votohej. Ata e quajtën aktin një përndjekje politike të ish-kreut të ekzekutivit.

Ligjvënësit e shumicës parlamentare vlerësojnë se Gruevski nuk ka dinjitet për ta ushtruar funksionin e deputetit, pasi u dënua me dy vite burg për ushtrimin e ndikimit në shpërdorimin e mjeteve financiare për blerjen e një makine të shtrenjtë, ndërsa mbante postin e shefit të qeverisë.

Por, për heqjen e mandatit të Gruevskit duhet të votojnë dy të tretat e ligjvënësve në seancë plenare, arsye kjo për të cilën nuk është siguruar numri i duhur. Deputetët e përjashtuar nga VMRO-ja kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë për heqjen e mandatit të tij.

Top Channel