Kancelari austriak Sebastian Kurz tha në Prishtinë se, Vjena mbështet cilëndo marrëveshje paqeje që arrihet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke mos përjashtuar as opsionet për ndryshimin e kufijve.

Këto komente, ai i bëri në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Vetëm një marrëveshje paqeje mes dy vendeve do të mund t’i hapte rrugë anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian. Qeveria e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje, e cila arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Pra, ne jemi të bindur se, nëse ia dalin të kenë marrëveshje, askush nuk do të jetë kundër saj. Edhe nëse ka të përfshirë korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, ajo do të mbështetet nga ne”, tha Kurz.

Kancelari austriak, vendi i të cilit kryeson Presidencën e Bashkimin Europian, tha se nuk do të ketë qëndrueshmëri në rajon dhe as perspektivë europiane, pa një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që shprehu besimin e tij për përpjekjet dhe angazhimin që po bëhet në arritjen e saj.

Kurz foli me tone pozitive për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, por nuk e fshehu skepticizmin e tij për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Pas takimit me Thaçin, Kurz u takua edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe bisedoi me trupat austriake të KFOR-it në Kosovë.

Vizita në Prishtinë vjen një ditë pas ndalesës në Beograd, ku ai i bëri të qartë Serbisë se e vetmja mundësi e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian do të ishte arritja e një marrëveshjeje me Kosovën.

Top Channel