Kancelari austriak Sebastian Kurz ndodhet këtë të martë në Prishtinë, ku pritet të takohet me krerët e lartë të shtetit.

Sipas agjendës së publikuar paraprakisht, Kurz është takuar me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, e më pas do të bisedojë edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai do të vizitojë edhe trupat austriake të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë. Marrëdhëniet mes dy shteteve dhe çështjet politike e të sigurisë në Kosovë janë temat që pritet të diskutohen në këto takime.

Ndalesa në Kosovë vjen pas Beogradit, ku Kurz u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Ai tha në Serbi se është e rëndësishme, që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës jo vetëm të vazhdojë, por edhe të përfundojë me sukses, sepse një gjë e tillë – siç u shpreh ai, – është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

“Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim drejt së ardhmes”, tha Kurz.

Kancelari austriak ka bërë të ditur se Austria do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke thënë se është prioritet i Presidencës austriake që të mbështesë shtetet e Ballkanit në afrimin me BE-në.

Kjo – sipas tij, – vlen veçanërisht për reforma në sigurinë e brendshme. Për Kosovën, që pret liberalizimin e vizave me BE-në, vizita e kancelarit austriak Sebastian Kurz ka rëndësi të veçantë, pasi Austria mban aktualisht Presidencën e radhës në BE.

Top Channel