5 nga 70 vite jete të Kujtimit kanë qenë mes Shqipërisë dhe Italisë. Me letra së bashku me bashkëshorten, Sadeten rezultojnë edhe rezident italianë, por a ndihen të tillë?

“Nuk di gjuhën, nuk ju di historinë italianëve, nuk di himnin që ata e kanë kryesoren”, u shpreh Kujtim Dema.

Mund të qëndrojnë maksimumi dy muaj tek vajzat në Cesena të Italisë.

“Në çdo cep të kësaj bote, ëndrra të çon te vendi yt, zemra të rreh te shtëpia jote”, shton ai.

Për çiftin dibran, dilemat për të ndenjur pranë fëmijëve, apo vendlindjes do të jenë ekzistente, megjithatë fijet e padukshme që e lidhin me rrënjët e familjes bëjnë përcaktimin.

“Që në vitin 1567 nis historia e një fisi që në Dibër ka bërë emër, fisi Dema deri te brezi i djalit tim, i vajzave të mia. Pra është një histori jo e pakët, që ne të lëmë Shqipërinë e të fokusohemi në Itali”, tregon Kujtim Dema.

“Malli është i madh, por kur vjen puna rrimë sa rrimë, e prapë na tërheq vendi”, shton bashkëshortja e tij, Sadete Dema.

Ndër të tjera, afrimiteti me fqinjët, përshëndetjet e përditshme në gjuhën shqipe me ta, nuk mund t’i gjejnë askund tjetër. Si dhe dita për Kujtimin kalon mes miqsh në një dorë domino.

Top Channel