Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës nuk do të ketë asnjë kosto për buxhetin e shtetit.

“Propozimi që ka mbërritur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe i është shpërndarë të gjitha agjencive që kanë lidhje me të parashikon në potencë zero financim nga buxheti i shtetit”, deklaroi Ahmetaj.

Propozimi i pakërkuar që ka mbërritur në Ministrinë e Infrastrukturës parashikon zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës me një korsi shtesë në secilën anë dhe më vonë ndërtimin e aksit nga Kashari në Rrogozhinë.

“Nëse do të miratohet, privati bën investimin dhe vendos tollet me të cilat shlyen investimin dhe mundëson mirëmbajtjen”, shpjegoi Ahmetaj.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2019 para deputetëve, kreu i financave tha se koncesionet nuk i rrezikojnë financat e shtetit, pasi pagesat për to nuk do të jenë asnjëherë më të larta se 5% e të ardhurave buxhetore.

Qeveria vlerëson se vitin e ardhshëm ekonomia do të rritet me 4.3%, ndërsa borxhi publik do të ulet nën 65% e prodhimit kombëtar. Në projektbuxhet është vendosur rritja e rrogave për 65 mijë punonjës në sektorët shëndetësi, arsim, mbrojtje si dhe rritje e pensioneve me 3%.

Top Channel