A është presidenti, pjesë e skenarit të opozitës për të provokuar krizë institucionale? Peza: Presidenti, në provë

05/11/2018 16:05

Sot në Presidencë shkoi edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Për bisedimet nuk ka informacion, por çështja e ngërçit institucional për zgjedhjen e ministrit të Brendshëm besohet se ka qenë në fokus të takimit Ruçi-Meta. Pas këtij takimi, Presidenti shpalli edhe datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor, që do të zhvillohen më 30 Qershor të vitit 2019.

Alfred Peza, i ftuar në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, e nisi komentin pikërisht nga kjo çështje, për takimin Ruçi-Meta, që sipas tij mund të jetë bërë për të vënë në dijeni kryeparlamentarin për datën e zgjedhjeve lokale nga ana e presidentit.

“Brenda takimit 60 minutësh, logjika na sugjeron se mund të jetë folur edhe për përplasjen institucionale në lidhje me mosdekretimin e kandidaturës së zotit Sandër Lleshaj në detyrën e ministrit të Brendshëm”, tha Peza.

Opozita ndërkohë është shprehur se kjo mazhorancë dhe ky kryeministër duhen rrëzuar me çdo kusht, e tek kjo e fundit hyn edhe skenarët politikë si bllokimet institucionale, bojkoti i Kuvendit nga opozita. Gazetari Dyrnjaja e pyeti të ftuarin Peza nëse kishte dijeni politike se po përgatitet një lloj skenari për bllokimin e mënyrës së qeverisjes për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?

“Opozita është në detyrën e vet për të bërë çdo gjë kushtetuese dhe demokratike për t’u rikthyer në pushtet. Nëse presidenti është apo jo palë në këtë rast, kjo duhet parë dhe secili mund ta lexojë individualisht. Janë veprimet vijuese të presidentit, ato që do ta përcaktojnë pozicionin e tij, nëse është palë apo mbi palët, siç ia kërkon detyra kushtetuese. Por opozita është aktualisht në një krizë identiteti dhe lidershipi, për aq kohë sa në të paktën 7 muaj nuk bën dot një miting në rrugë. I fundit i PD-së dhe opozitës së bashkuar ka qenë rreth muajit maj. Duhet të kemi parasysh se PD-ja e ka në ADN-në e saj mitingun dhe protestën, që ka qenë gjithmonë testi nëse ka apo s’ka frymë dhe mbështetje popullore”, deklaroi Peza.

Mbështetja popullore në fakt matet me votë dhe jo me deklarata nëse ka apo s’ka përkrahje Partia Demokratike. Zgjedhjet e ardhshme janë ato të 30 qershorit, të cilat do të jenë formale dhe jo përcaktuese, sepse nuk janë zgjedhje politike por administrative. Presidenti zgjodhi këtë datë nga dy mundësi që ishin në dispozicion, përfshi këtu edhe 23 qershorin.

“Personalisht isha i sigurtë që do të vendoste për 30 qershorin, pasi data tjetër e mundshme përkonte me zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kur Partia Socialiste u rikthye në pushtet, me një qeverisje që vijon edhe sot”, tha Alfred Peza.

Top Channel