Kjo e shtunë impenjon ekipet kryesuese të Kategorisë Superiore, në duelet e javës së 11, ku fokusi kryesor do të jetë te ndeshja mes Partizanit dhe Kamzës.

Sfida mes “të kuqve” dhe kamzalinjve do të luhet në orën 17:00 në “Selman Stërmasi”.

Partizani i drejtuar nga Skënder Gega rigjen në dispozicion Lorenc Trashin, i falur nga trajneri në këtë moment kritik, ku duhet lënë pas krahëve humbja me Skënderbeun e për të shumë të mos humbur më shumë terren ndaj korçarëve.

Klodian Duro, nga ana tjetër, rrezikon disi për shkak të rezultateve të dobëta, me vetëm 5 pikë në 7 ndeshje në krye të stolit të Kamzës.

Në Korçë, Skënderbeu do të presë Kastriotin e vendit të fundit, e për këtë arsye trajneri Shehi pritet t’u japë më shumë hapësirë emrave të rinj. Pavarësisht kësaj, fitorja është mision i vetëm për “ujqërit e dëborës”, përballë krutanëve që nën drejtimin e Stavri Nicës tashmë do të kërkojnë pikët e para.

Ndërkohë, në orën 14:00, Luftëtari do të presë në Gjirokastër kurbinasit e Laçit, në një sfidë që vendos edhe trajnerin Mezani përballë ish-skuadrës së tij.

Takimet, si zakonisht do të keni mundësi t’i ndiqni live në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel