“Po e ndjek me shqetësim të madh debatin për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”. Kështu shkruan në një letër Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ajo thekson në letër se, në këndvështrimin e saj, është me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve.

“Debatin rreth ndryshimit të kufijve, edhe unë – sikurse ju, – po e përcjell me shqetësim të madh”, shkruan ajo.

Kreu i LDK-së i kishte shkruar Merkelit më 28 shtator, letër përmes së cilës e njoftonte për qëndrimet e tij rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Merkel ka deklaruar se konsultimet e shteteve anëtare të BE-së për këtë temë “janë duke vazhduar”.

“Unë jam e vetëdijshme sesa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”, ka thënë Merkel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohët e fundit ka prezantuar idenë e tij për ndryshimin e kufirit, apo siç e quan ai “korrigjimin” e tij. Sipas Thaçit, “korrigjimi” i kufirit nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës. Ndërkohë, vet Kancelarja gjermane është një nga zërat më të fuqishëm kundër idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Top Channel