Vlerësime për Bankën e Shqipërisë. Kryeministri: Sot, niveli i kredive të këqija vetëm 13%

01/11/2018 13:31

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare ka hyrë në një cikël të qëndrueshëm rritjeje, që pritet të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme.

“Dinamizmi i sektorit eksportues dhe nivelet e larta të investimeve të huaja janë inkurajuese në drejtim të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike dhe dëshmi e kompetitivitetit dhe atraktivitetit në rritje të ekonomisë shqiptare. Efektet e rritjes ekonomike kanë filluar të jenë të pranishme në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë. Pjesëmarrja në forcat e punës dhe punësimi janë rritur; norma e papunësisë zbriti në 12.4% në tremujorin e dytë të vitit; dhe pagat kanë filluar të lëvizin për lart”, deklaroi Sejko.

Për kryeministrin Edi Rama, situata pozitive e ekonomisë është rezultat i reformave, jo vetëm të qeverisë, por edhe Bankës Qendrore: “4 vjet më parë, kreditë e këqija ishin 24%. Sot janë 13.4%. Përveçse tregon se si kanë ndryshuar gjërat, ky tregues është dëshmi edhe i bashkëpunimit pozitiv mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë”.

Por, ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se në ingranazhin e ekonomisë shqiptare ka një hallkë që nuk po funksion siç duhet. Ato janë bankat: “Bankat nuk po kreditojnë, edhe pse i kanë të gjitha kushtet. Thjesht nuk po kryejnë rolin e tyre në shpërndarjen e kapitalit”.

Top Channel