Kufijtë e Kosovës, vijon seanca e jashtëzakonshme për negociatat

01/11/2018 12:47

Kuvendi i Kosovës pritet të bëje sot edhe një përpjekje tjetër për të miratuar rezolutën e përbashkët mbi kornizat e dialogut me Serbinë. Në tryezë, qëndrojnë aktualisht dy propozime.

I pari, është ai i LDK-së, e cila kërkon që me anë të rezolutës prej vetëm një pike, Kuvendi t’ia ndalojë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi negociimin e çështjes së kufijve të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Propozimi i dytë është ai me gjashtë pika i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili, ashtu siç edhe mund te pritej, nuk përmend as presidentin e as çështjen e kufijve, thjesht i jep mbështetje tërësisë territorial të Kosovës e synon që në procesin final të bisedimeve me Serbinë të përfshihet edhe opozita.

Seanca e së mërkurës, qe zgjati thuajse gjithë ditën, nuk i dha dot një zgjidhje situatës. Tani ka mbetur që gjatë të enjtes grupet parlamentare të ulen së bashku e të tentojnë harmonizimin e rezolutës në një tekst të vetëm.

kjo duket ka për të qenë e vështirë, sepse diskutimet e forta të një dite më parë treguan qarte se afrimi i qëndrimit të partisë në pushtet dhe asaj më të madhe opozitare, nuk ka për të qenë i lehtë.

Opozita vazhdon te ndaje bindjen se ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, ka si prapavijë ndarjen e Kosovës, edhe pse këtë presidenti nuk ka pranuar asnjëherë.

Top Channel