Ish-ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos, në një intervistë për televizionin Sky mëngjesin e së enjtes, i pyetur për ngjarjen në fshatin Bularat, ka deklaruar se mbron qëndrimin se kushdo që mban armë dhe qëllon, duhet të qëllohet nga policia.

“Unë kam bindjen se kush mban në mënyrë kërcënuese armë në dorë të qëllohet menjëherë nga policia, ashtu siç ndodh në vendet e civilizuara, në vendet skandinave apo SHBA”, tha Pangalos.

Nuk ishte e nevojshme që të shkonte dikush nga Greqia për të ngritur, siç thonë një flamur, ka shtuar Pangalos, kur kemi parë që në Derviçan dhe Bularat ka për festa aq shumë flamurë, deri në tepricë.

Pangalos, një ish-politikan shpesh shumë kontravers në deklaratat e tij, ka thënë gjithashtu se deklarata e kryeministrit Edi Rama pas kësaj ngjarjeje ishte e gabuar, në kohën e gabuar.

“Rama bëri deklaratën e gabuar në orën e gabuar. Rama është një politikan që interesohet vetëm për vota. Kërkon që të mbledhë vota në jug të Shqipërisë. Dhe kjo për faktin se aty në jug nuk banojnë vetëm grekë, por edhe shqiptarë”, shpjegoi Pangalos.

Gjithashtu, Pangalos ka thënë se Greqia, që të jetë një lider në rajon, duhet të ketë aleanca të fuqishme me gjithë shtetet ballkanike, midis tyre edhe me Shqipërinë.

Top Channel