Shqipëria rezulton e para në Europë dhe e pesta në botë për emigracion potencial.

Ajo që shumica e shqiptarëve shpresojnë të arrijnë përmes largimit nga vendi i tyre është shkollimi dhe një perspektivë më e mirë e jetës.

Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, të njohur në mbarë botën, i tha “Deutsche Welle”-s se emigrimi i shqiptarëve vazhdon prej afro 30 vitesh, por natyra e tij po ndryshon: nuk është më një dukuri e mbështetur në arsye ekonomike apo politike, është kthyer në një dukuri që po prek të gjitha shtresat e shoqërisë, grupmoshat, klasat e ndryshme shoqërore për nga të ardhurat.

Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52% nga 44% që ka qenë në 2007. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e ikjes së njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë.

“57% e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46% e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri”, thotë King.

Është e qartë, thekson ai, se që prej 1991 numri i shqiptarëve që ikin është shumë më i madh se numri i atyre që kthehen. “Numri i përgjithshëm i popullsisë po bie, Shqipëria po tkurret”, vazhdon eksperti.

Sipas profesor King, një nga arsyet kryesore përse njerëzit duan të largohen nga vendi është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre. Një tjetër shkak është kostoja në rritje e jetesës.

Shtetet e preferuara për emigrim konsiderohen Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel