Historia e përplasjeve në Shkodër nuk mbaron këtu. Një ngjarje tjetër që Top Story solli në vëmendje ishte ajo e ndodhur në fshatin Myselim në Postrib me datë 23 Gusht 2018. Në këtë ditë u zhdukën nga banesat dajë e nip Gëzim Hysaj dhe nipi Agron Mollaj. Ngjarja fillimisht kaloi në heshtje, por pas rreth një jave, familjarët e tyre reaguan për mediat.

Top Story hyri në banesën e Gëzimit, bashkëshortja e tij Sajmira qëndron ende me sytë nga dera. Edhe pse shpresat e saj që bashkëshorti të kthehet i gjallë thuajse janë shuar, ajo pret të paktën të dëgjojë qoftë edhe lajmin e keq…

E lodhur dhe e drobitur shpirtërisht, Sajmira e ka të pamundur të flasë para kameras. Ajo tregon për Top Story se sa herë dëgjon që dikush afrohet te dera, e kapin të dridhurat për të pritur lajmin.

Qemali, rrëfen ekskluzivisht për Top Story, atë që kishte ndodhur natën e zhdukjes së vëllait të tij Gëzim Hysajt.

“Pasdite na thotë që më kërkon një shok, Faroku, i thotë gruas së tij: Më bëj bukën gati se po vi”, iku dhe nuk u kthy më”, rrëfen vëllai i Gëzim Hysaj.

Por, personi që Gëzimi takoi në të vërtetë nuk u gjet kurrë…

Teksa muajt kanë kaluar, në familjen e Gëzimit shpresa mungon, dhe apeli i familjarëve të tij është që të paktën të gjendet trupi.

“Të gjendet të paktën një shenjë, por varet se nga i kanë tretur ata”, – thotë i vëllai.

Vëllai i tij, zbulon për Top Story detaje të pathëna lidhur me atë që mund të ketë ndodhur. Ai zbulon se nipi i Gëzimit, Agron Mollaj, i zhdukur në të njëjtën mbrëmje, ka qenë i përfshirë në një konflikt të hershëm.
“Para 20 vitesh, në një klub, kanë qenë vrarë nja dy persona, dhe dyshojmë se ato mund ta kenë bërë këtë lojë”, tha i vëllai.

Mes zonave ku është kërkuar për gjetjen e Gëzimit dhe nipit të tij Agronit, ishte edhe Dobraçi…

“Në Dobraç i kanë prerë përpara, i kanë këputur kamerat e sigurisë… edhe dritat… në atë kohë e kanë bërë veprimin ato banditët”, tha i vëllai.

Dyshimet janë se këta dy persona, pra Gëzimi dhe nipi i tij Agroni, janë vrarë për shkak të përplasjeve mes fiseve Lici dhe Bajri.

“Banorët e zonës kanë qenë aty, nuk flasin asnjë. asnjë nuk flet… kanë frikë…”, tha i vëllai.

Familja e Agron Mollajt nga Dobraçi, ka marrë kërcënime edhe pas zhdukjes së tij. Djali 19-vjeçar i Agronit, ka kërkuar ndihmë nga kryetari i shoqatës së “Misionareve të Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë”.

:Është takuar me mua, më tha që: “Më kanë njoftuar dhe mua se do të kesh fatin e babas dhe dua të largohem”. I bëra letrën se si rrezikohet jeta në Shqipëri, dhe me sa di unë është larguar nga ky vend”, – tha për Top Story Nikollë Shullani, Shoqata e Pajtimit të Gjaqeve.

Top Channel