Buxheti i vitit 2019 është parashikuar më i përmbajtur për të ardhurat. Ndërsa rritja ekonomike parashikohet 4.3 përqind, qeveria parashikon rritjen e te ardhurave me 4.7 përqind ndërsa vetëm si pasojë e zgjerimit të ekonomisë dhe inflacionit në 2019 të ardhurat duhet të rriteshin minimalisht me 6 perqind.

Edhe pse parashikon që vitin e ardhshëm ekonomia të zgjerohet me 4.3 për qind, qeveria nuk ka shfaqur të njëjtin optimizëm në treguesit e projektbuxhetit. Sipas draftit tashmë të miratuar nga Këshilli i Ministrave, për vitin 2019 të ardhurat totale në arkën e shtetit pritet të arrijnë në 486.4 miliardë lekë ose 4.7 për qind më shumë krahasuar me nivelin e pritshëm të këtij viti.

Të dhënat historike tregojnë, se përjashto vitin 2015 kjo është rritja më e ulët e të ardhurave në pesë vitet e fundit, në një kohë kur rritja ekonomike parashikohet me e larta në një dekadë.

Vetëm si pasojë e zgjerimit të ekonomisë dhe inflacionit që parashikohet për vitin 2019, të ardhurat e buxhetit duhet të rriteshin minimalisht me 6 për qind. Por qeveria ka preferuar të miratojë një buxhet konservator, ose parashikon se administrata fiskale nuk do të ketë të njëjtin rendiment si këtë vit.

Rritja e përmbajtur që parashikohet për të ardhurat dikton politikë të shtrënguar edhe në krahun e shpenzimeve. Sipas projektbuxhetit, për vitin e ardhshëm qeveria do të shpenzojë në 519.3 miliardë lekë, ose 4.4 për qind më shumë se sa shpenzimet e pritshme të këtij viti. Qeveria nuk i ka publikuar ende tabelat e detajuara të buxhetit, që tregojnë se si do të shpërndahen këto para. Por rritja me 4.4 për qind e shpenzimeve ka pak gjasa të sigurojë hop financimesh për sektorët kyç të ekonomisë, si shëndetësia, arsimi, apo dhe bujqësia, të cilët prej vitesh mbeten të keqfinancuar.

Më shumë se këta sektorë, edhe për vitin e ardhshëm, prioriteti kryesor i buxhetit mbetet ulja e borxhit. Huamarrja e re e qeverisë parashikohet në 1.9 për qind e prodhimit kombëtar, çka përbën një nga nivelet më të ulëta historike.

Top Channel