Presidenti turk njihet më shumë për shtypjen politike që ka lënë me dhjetëra gazetarë në burg ose të papunë, sesa për mbrojtjen e lirisë së medias. Megjithatë, kohët e fundit ka dalë si kritiku më i zellshëm i vrasjes tronditëse të gazetarit saudit, Xhemal Kashogi.

Detajet e tmerrshme për vrasjen janë si dhuratë për mbështetësit e teorive të komploteve. Pse shkoi Kashogi te konsullata saudite, kur e dinte mirë se deri ku mund të arrinte qeveria e tij? Mos i kanë garantuar siguri dhe pastaj e kanë tradhtuar në minutën e fundit? Si ka mundësi që ishte regjistruar në konsullatë edhe vrasja, edhe prerja e gjymtyrëve? Si shpjegohet që mediat turke, të njohura si zëdhënëse të qeverisë turke, papritur u kthyen në burimet më të besueshme në botë për këtë ngjarje?

Një aspekt shkon përtej çështjes urgjente se çfarë ndodhi e se kush e porositi vrasjen: roli i ri i Erdoganit si mbrojtës i thekur i gazetarëve, fronin që zaptoi papritur si mbrojtës i moralit. E vërteta është që për kritikët turq dhe për të përkushtuarit, ky transformim nuk është aspak surprizë. Mospërputhja e fjalëve të Erdoganit, nga fjalimi në fjalim, ka qenë një sport i preferuar për mediat shoqërore në Turqi, prej vitesh tashmë. I jep opozitës një tjetër mundësi për një të qeshur të hidhur e të lodhur. Edhe publiku botëror nuk ka më nevojë të ketë njohuri të thella politike për të kuptuar se sa shtiret Erdogani.  Megjithatë, është e rëndësishme të shohim se sa shumë të përbashkëta ka Erdogani me populistët e tjerë të së djathtës.

Le të shohim fjalët që tha Donald Trump pasi dikush u dërgoi bomba familjeve Obama, Klinton dhe televizionit CNN: “Duam që të gjitha palët të jenë të bashkuara në paqe e në harmoni. Ne mund t’ia dalim. Ata që janë të përfshirë në arenën politike nuk duhet t’i trajtojnë kundërshtarët politikë si njerëz me probleme morali.” Megjithatë, Trump e ka quajtur Obamën edhe “themelues të ISIS”, Hillari Klintonin “mashtruese rruge”, dhe CNN e ka akuzuar se propagandon lajme të rreme. Mjeshtri i retorikës politike armiqësore është treguar po aq i paskrupullt sa Erdogani për të zaptuar fronin e moralit.

Princi saudit, Mohamed bin Selman, u shfaq i tronditur nga vrasja e Kashogit dhe u takua me djalin e gazetarit, për t’i shprehur ngushëllimet. Ditën e nesërme, kur mbajti një fjalim, dukej nga zëri po aq i pikëlluar sa Erdogani kur e quajti vrasjen një krim të tmerrshëm, dhe kur tha se fajtorët duhet të ndëshkohen.

Habia që ndien britanikët anti-Brexit, të cilët marshuan nëpër Londër fundjavën e shkuar, kur dëgjuan leksionet e Nigel Farage për demokraci, nuk ndryshon shumë nga reagimi ynë në Turqi kur na japin leksione ata që e dëmtojnë demokracinë.

Pasi e kam studiuar rritjen e populizmit të djathtë për më shumë se një vit, them me besim të madh se pavarësisht  mosmarrëveshjeve dramatike midis dy vendeve, këtu ka ngjashmëri të mëdha. Njëra ngjashmëri është monopoli që marrin udhëheqësit populistë mbi të drejtat e moralit, dhe tjetra është vështirësia për t’i sfiduar këto deklarata me mënyra politike. Edhe pse populistët e marrin suksesin pikërisht nga shkatërrimi i konsensusit moral, para mbështetësve arrijnë të luajnë rolin e shtyllave kryesore të moralit. Ka shumë arsye për këtë pafytyrësi, por më e madhja është që e bëjnë thjesht sepse munden.

Udhëheqësit populistë jo vetëm që i bllokojnë kundërshtarët me vulgaritet dhe me shtypje mizore, por u bëjnë ballë edhe sfidave të kritikëve duke iu referuar rënies së moralit në shkallë botërore. Në fund të fundit, kush është aq i pastër moralisht sa të hedhë gurin e parë kundër një populisti, në një botë neoliberale ku të gjithë jemi përlyer, në një farë mënyre, kur shihemi nga kodet e moralit që mbizotërojnë shoqërinë?

Është për të ardhur keq që çështja e moralit, tashmë në zemër të rritjes së populizmit të djathtë, e tërheq vëmendjen tonë vetëm kur tronditemi nga pafytyrësia e udhëheqësve, teksa fillojnë të na mësojnë se si të jemi qytetarë të përgjegjshëm. Herët a vonë do të na duhet të flasim për se çfarë e përkufizon moralin e pastër, dhe të zbulojmë një mënyrë të re të të bërit politikë, e cila të mos e bëjë Makiavelin të duket si Forest Gump. Sepse po të ishte gjallë sot, do ta bënte. Parimi i Makijavelit “politika nuk ka lidhje me moralin” duhet të tingëllojë si populizëm i djathtë për princat e paturp të ditëve të sotme.

Top Channel