Parlamenti Europian ka vendosur të ndalojë një seri sendesh plastike njëpërdorimshe, si pipat plastike, pastruesit e veshëve dhe serviset plastike, e të garantojë që sa më shumë shishe plastike të riciklohen, në një përpjekje për të reduktuar ndotjen e deteve.

Sipas propozimit të miratuar nga Parlamenti Europian, 10 produkte plastike njëpërdorimshe do të ndalohen deri në vitin 2021 dhe shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara të riciklojnë 90 për qind të shisheve plastike deri në vitin 2025.

Pas votimit, që përfundoi me 571 vota pro dhe 53 kundër, anëtarët e Parlamentit Europian që propozuan ligjin folën për një fitore për oqeanet, ambientin dhe brezat e ardhshme.

Komisioni Europian e propozoi masën në maj. Ajo tani do të duhet të miratohet edhe nga vendet anëtare, pas negociatave, që shpresohet se do të jenë të suksesshme.

Kina ndaloi vitin e kaluar importin e 24 varieteteve të mbetjeve solide, përfshirë ato plastike dhe të letrës së pariciklueshme, duke vënë nën presion Europën, që edhe ajo të përballet me mbetjet e saj.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, më shumë se 150 milionë ton plastikë gjenden në detet e botës. Një studim i publikuar pak vite më parë sugjeronte se, 5 deri në 13 milionë ton më shumë derdhen në dete çdo vit. Sipas kërkimeve, deri në vitin 2050 në oqeanet e botës do të ketë më shumë plastikë sesa peshq, gjë që ka bërë që politikëbërësit, individët dhe shoqëritë të marrin masa.

FOTO GALERI
2/14

Top Channel