Një ndihmës i politikës së jashtme në Kremlin tha se është arritur një marrëveshje paraprake për një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, më 11 Nëntor në kryeqytetin e Francës, Paris.

Ndihmësi Yuri Ushakov tha para gazetarëve se gjatë takimit të Putin me Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Trump, John Bolton, ishte diskutuar dhe rënë paraprakisht dakord, që dy presidentët të takohen më 11 Nëntor.

“Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të takohen së shpejti. Sot është diskutuar dhe është rënë paraprakisht dakord që takimi të mbahet më 11 nëntor në Paris”, tha Ushakov.

Dy presidentët janë takuar edhe herë të tjera, që nga koha kur Trump mori çelësat e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa herën e fundit që diskutuan bashkë, numri një i Shteteve të Bashkuara u kritikua rëndë nga opinioni politik amerikan.

Top Channel