Parlamenti spanjoll votoi të martën kundër bllokimit të shitjes së armëve në Arabinë Saudite, pavarësisht nga presioni ndërkombëtar në rritje për të ndëshkuar Rijadin për vrasjen e gazetarit disident, Jamal Khashoggi.

Qeveria socialiste e Spanjës tha të shtunën se ishte “e tronditur” nga vdekja e gazetarit saudit, por vendosi të bashkonte forcat me partinë kryesore opozitare, Partinë Konservatore Popullore, për të mposhtur një mocion parlamentar, që i bëri thirrje qeverisë të ndalë tregtinë e tillë.

Shitjet spanjolle të armëve në Arabinë Saudite ishin prej disa ditësh në qendër të vëmendjes, pasi muajin e kaluar qeveria spanjolle njoftoi se do të ndalonte shitjen e 400 bombave me lazer drejt Rijadit, por ndryshoi vendimin e saj disa ditë më vonë.

Sipas mediave spanjolle, Arabia Saudite kishte kërcënuar të anulonte një kontratë me Spanjën prej 1.8 miliardë eurosh ($ 2 miliardë) për të blerë anije luftarake, në qoftë se nuk do të ndodhte shitja e bombave me lazer.

Top Channel