Mbrëmjen e kësaj të mërkure do të luhen ndeshjet e tjera të raundit të tretë të Champions League.

Një nga sfidat që do të ketë vëmendje të madhe është ajo mes Barcelonës dhe Interit, dy skuadra që janë përballur edhe në gjysmëfinalet e këtij turneu në vitin 2010, me zikaltrit që eliminuan katalanasit.

Skuadra e Barcelonës nuk do të ketë Lionel Messin, të dëmtuar, ndërkohë që Luis Suarez, i cili u bë baba për të tretën herë do të jetë në fushë përkrah Coutinhos, një njohje e vjetër e Interit. Për sa i përket skuadrës zikaltër, Spalletti merr lajme të mira nga Brozoviç, që është riaftësuar dhe pritet të jetë në fushë që nga minuta e parë.

Një tjetër ndeshje interesante është ajo e grupit C, mes Paris Saint-Germain dhe Napolit. Skuadra e Tuchel po shfaqet në një formë të jashtëzakonshme në kampionat, pasi ka regjistruar një seri prej 10 fitoresh radhazi. Për kampionët e Francës nuk do të jenë në fushë Buffon, i skualifikuar, dhe Thiago Silva, i dëmtuar.

Ndërsa te Napoli, Ancelotti do të ketë në dispozicion Insignen, të cilin trajneri italian mendon ta vërë përkrah Milik, duke lënë në stol Mertens. Po në këtë grup do të luhet edhe sfida mes Liverpoolit dhe Yllit të Kuq të Beogradit (Crvena zvezda), me skuadrën serbe të cilën po e ndjek hija e skandalit të trukimit të sfidës me PSG-në.

Dortmund-Atletico Madrid është një tjetër përballje interesante. Skuadra e Dortmundit po dominon kampionatin gjerman në këtë sezon, por ndeshjen me të besuarit e Diego Pablo Simeones do ta ketë shumë të vështirë, pasi Atletico ka në radhët e saj Antoinne Griezmann, që po bën paraqitje vërtet shumë të mira në këtë periudhë.

Top Channel