Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj komentoi vendimin e sotëm të gjykatës e cila dënoi sot anëtarin e Partisë Demokratike në këshillin bashkiak, Akil Kraja, për akuzën e shpifjes.

Në dëgjesën me banorët e njësisë Nr 3 në kryeqytet, Veliaj theksoi se PD e ka kthyer shpifjen në profesion më vete. Sikurse kryeministri la porosi, Veliaj siguroi se lekët e fituara do të shkojnë për t’i dhuruar dy kompjuterë për shkollën “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz për edukimin e brezit të ri.

“Ne sapo fituam një gjyq me PD ku gjykata e Tiranës dënoi për shpifje një parti shpifjen e ka kthyer në hobi, shpifjen e ka kthyer në zanat, në profesion dhe ashtu siç u la porosi nga kryetari I PS, të gjitha paratë e fituara nga shpifjet, nga gjyqet për shpifje do të shkojnë për të sjellë më shumë kompjutera, libra dhe materiale didaktike në shkollat tona. Unë kam vendosur që një milionë lekët e vjetra, aq sa kishim kërkuar për shpifjen, në Gjykatën e Tiranës ndaj PD, nesër do i bëj dhuratë dy kompjutera për shkollën Isa Boletini, është një shkollë në Kodër-Kamzë, atje ku nevojat janë edhe më të mëdha. Të gjitha paratë që fitohen nga shpifjet e SHQUP-it do i kthejnë në të ardhura dhe në të mira materiale për fëmijët e Tiranës, si mënyra më simbolike për t’i dhënë dikujt këtë mesazh: Nuk ecet përpara me shpifje”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u kërkoi banorëve të japin një mbështetje maksimale për PS në zgjedhjet e ardhshme, që në këshillin bashkiak të jenë anëtarë që punojnë për qytetin dhe jo që shpifin.

“Gjyqi që fituam sot ishte ndaj një shpifësi në këshillin bashkiak. Pyetja që kam për PD është se për çfarë I çoni, kanë 3 vjet që nuk vijnë edhe njëherë që vijnë shpifin edhe dënohen. Për çfarë vijnë në këshillin bashkiak?! Nuk janë aty ku votohet ndihma ekonomike, nuk janë aty ku votohet bonusi i qirasë, nuk janë aty ku votohet një shkollë, nëse dikush nuk vlen për asgjë përse I mbani me rrogë, përse sillni njerëz edhe aq pak sa kanë ngel. Në njësinë 3 na duhet mobilizim për të pasur shumicën e këshillit bashkiak që të mund ti votojmë vet dhe të mbajmë këtë shpejtësi. Nuk e meriton Tirana që të kenë këshilltarë shpifsa. Ndaj thirrja ime është çdo votë për PS si për kryetarin, si për këshillin si e vetmja mënyrë për të mbajtur hapin e investimeve në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel