Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer pritet të takojë këtë të martë në Prishtinë udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

Vizita e tij në Prishtinë zhvillohet në kuadër të një turneu diplomatik në rajon. Palmer pritet të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kjo vizitë po realizohet në kohën kur institucionet vendore po miratojnë legjislacionin e nevojshëm për transforimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Forcë me kapacitete shtesë, si dhe në kohën e debateve rreth përfaqësimit të Kosovës në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë.

Të hënën, Palmer qëndroi në Shkup. Ai e cilësoi si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Paraprakisht në Beograd, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje, përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd, gjatë adresimit në Forumin e Sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara e kuptojnë shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet e tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “rrezikon gjithashtu stabilitetin e rajonit”.

Top Channel