Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmoi shqetësimin që për javë të tëra Top Channel ngriti në investigimin për mbetjet spitalore. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto mbetje në disa spitale nuk trajtohen, por hidhen bashkë me mbetjet urbane duke u bërë burim infeksionesh e sëmundjesh.

Mbetjet spitaloren mbeten një rrezik serioz për qytetarët. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi më të fundit ka konkluduar se shpesh mbetjet spitalore përzihen me ato urbane duke u shndërruar në burim i përhapjes së një sërë sëmundjesh në popullatë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se mbetjet e rrezikshme spitalore, të cilat duheshin çuar për trajtim mbaheshin në ambientet të papërshtatshme. Të tilla shkelje janë hasur si në QSUT ashtu edhe në spitalin e Fierit dhe Kukësit.

Dy spitalet e Fierit dhe të Kukësit nuk kanë autoklavë të tyre për trajtimin e disa mbetjeve që nuk konsiderohen të rrezikshme. Për këtë qëllim ato duhet të kontraktojnë subjektet private, të cilat bëjnë djegien e këtyre mbetjeve dhe edhe këto nuk kontrollohen siç duhet pasi një kompani, e cila është licencuar për këtë qëllim nuk e ushtron këtë aktivitet në adresën që ka dhënë kur është licencuar. Ndërsa të tjera nuk janë kontrolluar se si e bëjnë djegien.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Agjencisë Kombëtare të kërkojë destinacionet ku derdhet hiri në rastet kur behet djegia dhe Inspektoratit të Mjedisit të ushtrojë kontrolle ndaj subjekteve që janë licencuar për trajtimin e mbetjeve që në fakt nuk i kryejnë këtë gjë.

Top Channel