Pronari i lokalit në zonën e bllokut ku ndodhi masakra e 4 tetorit me një të vrarë dhe dy të plagosur u lirua paraditen e së martës nga Gjykata e Tiranës.

Redi Popesku u arrestua me urdhër të prokurorisë pasi akuzohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës. Më konkretisht, prokuroria dyshon se Popesku ka fshehur armën e tij tip pistoletë, të cilën e kishte me leje dhe që dyshohet se mund të jetë përdorur natën e ngjarjes së përgjakshme. Ky dyshim vjen pasi në vendngjarje janë gjetur gëzhoja që përkojnë me kalibrin e pistoletës që Popesku ka me leje, por që ka deklaruar se i ka humbur pas ngjarjes.

Por, me sa duket, prokuroria nuk ishte bindëse për gjykatën, e cila e la në arrest shtëpie Popeskun derisa prokuroria të qartësojë pozicionin dhe thëniet e të akuzuarit.

Ndërkohë, avokati i Popeskut e cilësoi vendimin e gjykatës të padrejtë, edhe pse klienti i tij fitoi lirinë: “Ndaj këtij personi nuk mund të caktohej masë sigurie, pasi nuk ka asnjë provë që ka penguar hetimet. Shteti shqiptar kur të jep armë me leje mban kampionë të gëzhojës dhe policia i ka edhe gëzhojat në vendngjarje, edhe gëzhojat e armës së Popeskut dhe i kanë çuar në laborator. Dhe këtu nuk ka asnjë pengim”.

Për këtë ngjarje, prokuroria ka arrestuar Ervis Martinajn dhe Helion Haton (të dy të plagosur) dhe Geldo Hotin, ndërsa janë shpallur në kërkim Mervjol Bilo, Ervin Mata dhe Fabjol Alushi.

Top Channel