Opozita nuk beson se qeveria e ka seriozisht mbylljen e basteve. Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku në një intervistë për Top Channel thotë se nisma e qeverisë do rrisë informalitetin.

Demokratët nuk besojnë se Edi Rama e ka seriozisht kur zotohet se do të mbyllë lojërat e fatit një herë e përgjithmonë.

“Nëse do i mbyllte të sillte një ligj me një fjali ku të thonte se lojërat e fatit do të mbyllen. Të tregonte se e kanë seriozisht. Në 5 vite i mbyllën? Jo, u katërfishuan. Fakti që qeveria i bekoi, u uli taksat, u bë bashkëpunëtore, tregoi se asgjë s’kanë seriozisht. Thjesht po tërheqin vëmendjen nga krimi, droga dhe çdo gjë tjetër”, u shpreh Jorida Tabaku.

Opozita nuk ishte në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe do të mungojë edhe kur ligji të shkojë për miratim në Parlament. Jorida Tabaku shpjegon pasojat e vendimit të Kryeministrit.

“Do rrisë i informalitetin. E pamë në 5 vite vendosja e TVSH, për biznesin e vogël mbylli biznesin, por bizneset prapë po operojnë pa kupon. Kjo do jete rezultati i parë i vendimit për lojërat e fatit. E ka të pamundur ta zbatojë kështu siç e ka sjellë sistemin në këtë ditë. Vendimi i qeverisë do të rrisë”, thotë Tabaku.

Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë pranon se zgjidhja për bastet para vitit 2013 nuk ishte me optimalja, por bëri të mundur kufizimin e lojërave të fatit.

“Mënyra si funksiononin para 2013-s. Nuk ishte më optimalja, nuk besoj se ishte më e mira, por e kufizoi. Basha propozoi të mblidheshin në Shkozë dhe PS nuk e votoi”, thotë ajo.

Opozita zotohet se kur te vije ne pushtet do e rregulloje sistemin.

“Rama nuk ka vullnet për ta bërë, PD ka vullnet për ta luftuar, për ta rregulluar sistemin, për ta bërë sipas standardeve europiane. PD ka dy parimet e shenjta familjet dhe ekonominë e tregut”, tha Tabaku.

Top Channel