Presidenti Donald Trump tha se SHBA “do të fillojnë të ndërpresin ose të pakësojnë ndjeshëm” ndihmat për Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin, pasi këto vende nuk ishin në gjendje të ndalonin emigrantët të largoheshin nga vendi për të hyrë “në mënyrë të paligjshme” në SHBA.

Mijëra emigrantë, shumica nga Hondurasi, janë grumbulluar në kufirin e Guatemalës me Meksikën, me shpresën për të kaluar nga territori meksikan drejt Shteteve të Bashkuara. Por shumë prej tyre janë kthyer në Honduras, pasi janë përballur me vështirësi gjatë rrugës, ose në kufirin meksikan. Megjithatë, një pjesë e tyre janë të vendosur të hyjnë në Amerikë, pa marrë parasysh koston:

Autoritetet meksikane javën e kaluar e bllokuan karvanin e emigrantëve në një urë në kufirin mes Meksikës dhe Guatemalës, por më vonë shumë prej tyre e kaluan me not, ose me traget lumin Sushiate, për të vazhduar më tej rrugën drejt veriut.

“Kemi rrezikuar edhe jetën, duke kaluar lumin, ngaqë në Honduras nuk ka shanse për një jetë të mirë, nuk ka të ardhme,”- tha një emigrant hondurian.

Presidenti Trump lavdëroi Meksikën për bllokimin e emigrantëve:

“Dua të falenderoj Meksikën për këtë veprim të shkëlqyer. Tani ajo po e respekton udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara”

Administratën Trump e kanë kritikuar më parë për trajtimin e ashpër të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Ish nënpresidenti Joe Biden e ngriti këtë çështje përsëri të dielën në Nevada:

“Çfarë po ndodh me Amerikën, që po ua merr nënave foshnjet në kufi? Ç’po bëjmë, si jemi bërë kështu?”- tha Biden.

Duke zhvilluar fushatë në një tjetër rajon të Nevadës, Trump i akuzoi demokratët se i ftojnë kriminelët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

“Partia demokrate po fton hapur miliona të huaj të paligjshëm të shkelin ligjet tona, të na shkelin kufirin dhe të pushtojnë vendin tonë. Demokratët i pëlqejnë karvanet,”- tha Presidenti.

Zoti Trump i ka bërë emigrantët çështje politike të fushatës së zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin. Ai kërcënoi se do t’i presë ndihmat rajonale dhe se do ta mbyllë kufirin SHBA-Meksikë, nëse Meksika nuk i ndal emigrantët.

“Unë do ta mbyll kufirin para se ata të hyjnë këtu dhe do të nxjerr ushtrinë. Jo rezervistët, por ushtrinë”,- tha zoti Trump. Presidentët e Guatemalës dhe të Hondurasit mbajtën të shtunën një konferencë të përbashkët shtypi, duke i ftuar emigrantët të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Dua t’i siguroj Hondurasit se kemi krijuar një ekip për t’i pritur me një numër mundësish, në varësi të kërkesave të secilit prej qytetarëve.”- tha Presidenti i Hondurasit.

Presidenti hondurian i siguroi Shtetet e Bashkuara se shumë nga emigrantët janë kthyer.

“Rreth 2,000vetë janë kthyer tashmë të sigurtë në vendin e tyre, megjithëse duhet t’i koordinojmë shifrat me Hondurasin”, – tha Presidenti i Guatemnalës.

Por shumë emigrantë të tjerë thonë se do ta gjejnë një rrugë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel