Pas Athinës, ambiente të reja në konsullatën e Barit

22/10/2018 14:11

Konsullata shqiptare në Bari tashmë ka një shtëpi të re, ku do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët. Institucioni iu nënshtrua rikonstruksionit, dhe tanimë ka ambiente tërësisht të reja ku ofron shërbime më transparente dhe më shpejt për 50-60 mijë qytetarët që i drejtohen kësaj konsullate.

Ka qenë vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili përmes një video të postuar në Facebook thotë se tashmë pritja nuk është më stres për qytetarët dhe se reforma e shërbimeve konsullore vijon.

“Falë mjediseve të reja bashkëkohore të Konsullatës shqiptare në Bari ofrohen shërbime më transparente, më të shpejta dhe më efikase. Janë rreth 50-60 mijë qytetarë që i drejtohen kësaj konsullate, dhe për të cilët pritja nuk është më stres. Reforma e shërbimeve konsullore vijon! “, shkruan Bushati.

Rrjeti i përfaqësive shqiptare jashtë vendit i është nënshtruar rikonstruksionit të ambienteve për të qenë më afër qytetarëve për të ofruar shërbimet e nevojshme me kushtet e duhura, me më shumë transparencë dhe më shpejtë. Një javë më parë ministri Bushati publikoi ambientet e reja të shërbimit konsullor në Ambasadën shqiptare në Athinë. Ajo është një nga konsullatat që i shërben një numri të madh shqiptarësh. Krahas Shërbimit Konsullor Online, ajo pret rreth 100 persona në ditë.

Top Channel