E diela nuk ishte një ditë e zakonshme për Policinë e Shtetit. Në të gjithë vendin janë zhvilluar aksione kundër grupeve kriminale.

Por, arrestimet më të bujshme ishin vënia në pranga e dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste: Arben Ndoka, që dyshohet për falsifikim të dokumenteve, në kuadër të një grupi kriminal të përfshirë në tjetërsim tokash në Lezhë; si dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka marrë parà për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që drejtonte institucionin.

Ndërkohë, operacione të tjera masive janë zhvilluar në territorin shqiptar, një në zonën e Shijakut dhe një tjetër në zonën e Sarandës. Në të parin bëhet fjalë ndjekja e një grupi kriminal, për disa persona me mbiemrin Avdyli, të skeduar nga operacioni ndërkombëtar “Forca e Ligjit”, të cilët janë dënuar për vepra të rënda penale si trafikim narkotikësh në disa vende të BE-së.

Paralelisht me operacionin në Shijak, forcat e rendit kanë qenë aktivë edhe për kapjen e të shumëkërkuarit, Klement Balili, i cilësuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”. Gjatë të gjithë natës ka pasur kontrolle në disa banesa në Sarandë dhe rrethinat përreth. Deri në këto orë të para të mëngjesit, me sa duket edhe ky operacion policor ka dështuar.

Operacionet vijnë në fakt pas paralajmërimit të javës së kaluar nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Madje, në 10 ditët e fundit në Tiranë kanë zbarkuar edhe dy zyrtarë të lartë të Policisë gjermane, drejtori i Përgjithshëm dhe presidenti i Policisë Federale, që kanë diskutuar me homologët shqiptarë për disa operacione të përbashkëta.

Top Channel