John Bolton ndodhet ndërkohë në Moskë, për takime zyrtare

Kina reagoi këtë të hënë dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara ta “mendojnë dy herë” vendimin për t’u tërhequr nga një traktat i epokës së Luftës së Ftohtë mbi armët bërthamore me Rusinë.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi gjatë fundjavës planin për t’u tërhequr nga Traktati “INF” i vitit 1987, që ndalon përdorimin e raketave bërthamore tokë-ajër me rreze të mesme veprimi, nga 500 deri në 5.500 km.

Por, Trump tha se kanë qenë rusët që e kanë shkelur atë “prej vitesh të tëra” dhe se Kina, një vend jo firmëtar, mbetet e lirë të zhvillojë armë të tilla.

Dy ligjvënës të lartë republikanë e mbështetën merakun e Trumpit mbi Kinën gjatë së dielës, duke thënë se po, ekzistojnë shqetësime se traktati po frenon Shtetet e Bashkuara, nga njëri krah, e po lejon Kinën nga ana tjetër që të ecë përpara me zhvillimin e këtyre lloj armatimesh.

“Duhet theksuar se, është krejtësisht e gabuar të përmendësh Kinën kur flitet mbi tërheqje nga traktati”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, këtë të hënë.

Traktati ka luajtur një rol të rëndësishëm në përparimin e procesit të çarmatimit, ruajtjes së balancave strategjike dhe qëndrueshmërisë globale, theksoi më tej ajo. “Tërheqja e njëanshme do të ketë një tërësi efektesh negative”, u shpreh gjithashtu ajo për mediet.

Hua nënvizoi se Kina shpreson që palët përkatëse të mund “të mendohen dy herë mbi çështjen e tërheqjes”, në një referencë të qartë kjo ndaj Shteteve të Bashkuara.

Të dielën, senatorët që e mbështetën planin e Trumpit për t’u tërhequr nga akordi bërthamor ishin Lindsey Graham dhe Bob Corker. I pari tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të lira t’i përgjigjen kapaciteteve që po ndërton Kina, ndërsa i dyti theksoi se shpreson që qëndrimi i Trumpit të ketë si objektiv ushtrimin e presionit ndaj Rusisë për t’iu kthyer kornizave të traktatit, që e ka shkelur vazhdimisht vitet e fundit.

Traktati historik u nënshkrua nga Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev në vitin 1987 dhe çoi në eliminimin e afro 2.700 raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.

Top Channel