Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev e kritikoi si të pamatur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Traktati i Armëve Bërthamore, që ai vet nënshkroi me të ndjerin Ronald Reagan në vitin 1987.

“Kaq e vështirë është të kuptohet se, duke hequr dorë nga këto marrëveshje…tregon mungesë zgjuarsie?”, pyeti 87-vjeçari Gorbachev gjatë një interviste me agjencinë ruse të lajmeve “Interfax”.

“Të tërhiqesh nga ai traktat është një gabim, – tha më tej ai. – Zyrtarët, në mënyrë absolute nuk mund të zhbëjnë marrëveshjet e vjetra mbi çarmatosjen”.

“Të gjitha llojet e marrëveshjeve, që synojnë çarmatosjen bërthamore dhe kufizimin e armëve bërthamore, duhet të ruhen me çdo kusht për të shpëtuar jetë mbi Tokë”, tha ai.

Trump konfirmoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të largohen nga Traktati 30-vjeçar i Armëve Bërthamore i njohur ndryshe edhe si “INF”.

Gorbachev paralajmëroi se lëvizja e Trumpit mund të “minojë të gjitha përpjekjet e bëra në të kaluarën nga udhëheqësia sovjetike, madje edhe nga vet amerikanët, për të arritur çarmatosjen bërthamore”.

Gjermania gjithashtu ka reaguar me “keqardhje për tërheqjen e planifikuar” dhe tha se do të kërkojë zhvillimin e bisedimeve mes vendeve të NATO-s, sipas një zëdhënëseje qeveritare, e cila e quajti traktatin “një element të rëndësishëm mbi kontrollin e armëve”.

Trump në fakt pretendoi të shtunën se ishte Rusia, ajo që e ka shkelur disa herë traktatin.

“Ne jemi ata që i kemi qëndruar besnikë marrëveshjes dhe e kemi nderuar atë, por Rusia nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kështu që ne do të vendosim t’i japim fund marrëveshjes, duke u tërhequr prej saj”, tha ai për reporterët. “Rusia e ka shkelur marrëveshjen dhe prej vitesh madje. Ne nuk kemi për t’i toleruar më ata, të shkelin një marrëveshje bërthamore apo të prodhojnë armë të cilat nuk na lejohen”.

Ndërkohë, këshilltari i Trumpit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton mbërriti në Moskë të dielën, e pritet të takohet këtë të hënë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për agjencitë ruse të lajmeve se, presidenti Vladimir Putin mund të takohet gjithashtu me Boltonin, në kërkim të “sqarimeve”.

Top Channel