Bosnje-Hercegovina dërgon prapa hekurave një ish-ministër të saj, të akuzuar për pastrim parash, evazion fiskal dhe përfshirje në krimin e organizuar.

Një gjykatë vendase e dënoi Jerko Ivankoviç-Lijanoviç, ish-ministër Bujqësie, Menaxhimi të Ujërave dhe Pyjeve, me 12 vite heqje lirie dhe i vendosi edhe një gjobë prej 25 mijë eurosh.

Vëllai i tij, Slavko Lijanoviç është dënuar gjithashtu me 10 vite burg, po për të njëjtat akuza, ndërsa edhe ish-ministri i Tregtisë së Federatës Boshnjake, Milorad Bahilj ka marrë një dënim prej 5 vitesh e 10 muajsh burg.

Në aktpadi thuhet se, përmes aktivitetit të paligjshëm kriminal, grupi ka përfituar më shumë se 6 milionë euro nga taksat e papaguara apo të shmangura, përdorimi abuziv i stimujve për zhvillimin e prodhimit e bujqësisë dhe nga shitja e stoqeve të vjedhura nga Departamenti federal i Rezervës së Mallrave në periudhën e viteve 2007-2012.

Familja Lijanoviç zotëron njërën prej kompanive më të mëdha të mishit në Bosnje-Hercegovinë. Organi i akuzës në vend e konsideron rastin e njohur si “Meso”, apo “mishi”, si njërën prej çështjeve më komplekse të krimit të organizuar të zbuluar ndonjëherë në periudhën e pas konfliktit.

Në hetim mori pjesë edhe Autoriteti Tatimor i Bosnje-Hercegovinës. Raporte të mëhershme kanë treguar se firma më të vogla, të lidhura me kompaninë Lijanoviç, i kanë kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit përmes shmangies së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Top Channel