Turqia ka premtuar se do të bëjë publike të gjitha detajet e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, pasi Arabia saudite për të parën herë pranoi se ai ishte vrarë në konsullatën e saj në Stamboll.

“Turqia nuk do të lejojë mbulimin e ngjarjes”, tha një zëdhënës i partisë në pushtet. Arabia Saudite sugjeroi të premten se Khashoggi, një kritik i qeverisë, kishte vdekur pas një zënke me grushte.

Zyrtarët turq më herët kishin thënë se ai ishte vrarë brenda konsullatës dhe trupi i tij ishte copëtuar. Zyrtarë turq patën thënë madje se kishin prova audio dhe video që e konfirmonin këtë.

Mbretëria saudite u vu nën presion intensiv për të shpjeguar zhdukjen e Khashoggit, pasi ai hyri në konsullatën në Stamboll më 2 tetor për të kërkuar disa dokumente që i duheshin për martesën e planifikuar prej tij.

Deri të premten, ajo kishte mohuar të kishte njohuri për vendndodhjen e tij dhe insistonte se ai kishte dalë nga godina i gjallë. Por tani, mbretëria saudite thotë se një luftim nisi mes Khashoggit dhe personave që ai takoi në konsullatë, çka edhe përfundoi me vdekjen e tij.

Ajo thotë se hetimet vijojnë dhe deri më tani 18 shtetas sauditë janë arrestuar. Zyrtarë të paidentifikuar kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se sauditët nuk e dinë vendndodhjen e trupit, pasi ai i ishte dhënë një bashkëpunëtori lokal.

Përveç arrestimeve, edhe dy zyrtarë të lartë janë shkarkuar në lidhje me ngjarjen, zëvendës shefi i zbulimit, Ahmad al Assiri dhe Saud al Qahtani, ndihmës i lartë i princit të kurorës Mohamed bin Salman. Sidoqoftë autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë prova për të mbështetur këtë version të ngjarjeve.

Top Channel