Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Arben Çuko, u arrestua këtë diel pasi dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën.

Urdhër arresti i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve u ekzekutua këtë pasdite dhe Çuko u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë.

Burimet nga grupi i hetimit tregojnë se Çuko dyshohet se ka marrë para për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që ai drejtonte institucionin e burgjeve.

Emri i tij doli gjatë përgjimeve të një të dënuari. Çuko u shkarkua nga detyra gati dy muaj më parë dhe u zëvendësua nga Stefan Çipa.

Motivacioni që e shoqëroi largimin e tij ishte “për të përmirësuar punën e drejtorisë së burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë se brendshme, rritjes se efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit ne sistemin e burgjeve”.

Çuko është drejtori i dytë i përgjithshëm i burgjeve që akuzohet për korrupsion në një kohë të shkurtër. Edhe paraardhësi i tij, Artur Zoto u arrestua dhe qëndroi një vit e gjysmë në burg, pasi u dënua nga shkalla e parë dhe më pas u shpall i pafajshëm. Para se të emërohej drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, Çuko ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe komandant i Gardës së Republikës.

Top Channel