Me mijëra emigrantë të nisur në karvan nga Hondurasi erdhën në kufirin midis Guatemalas dhe Meksikës, duke sfiduar autoritetet vendase dhe thirrjet nga Uashingtoni.

Presidenti Trump i bëri thirrje Hondurasit se do t’i ndërpresë ndihmat nëse nuk ndërhynin, ndërsa falënderoi autoritetet meksikane për ndalimin e emigrantëve në një urë në kufi. Trump premtoi gjithashtu se do të dërgonte ushtrinë në kufirin amerikan, dhe se ata që po vijnë nuk janë të gjithë njerëz të mirë.

Sekretari i Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, i akuzoi përfaqësuesit e karvanit se po përdornin fëmijët si mburojë, si dhe deklaroi për mediat që ky marshim është i organizuar për të cenuar sovranitetin e Meksikës: “Ne jemi gati ta mbështesim Meksikën teksa i adresohet këtij problemi”, shtoi ai.

Gjatë 24 orëve të fundit, emigrantët sfiduan urdhrat e policisë meksikane dhe çanë gardhin që i mbante të bllokuar në urë. Shumë prej tyre u përplasën me policët teksa mbanin fëmijë në duar, siç tregojnë fotot. Shumë të tjerë, ndërkohë, janë shkëputur nga karvani dhe po e vazhdojnë rrugën më vete.

Po a do të arrijnë dot deri në Amerikë? Autoritetet meksikane e kanë bërë të qartë se kushdo që ka viza, do të lejohet të kalojë. Ata që duan të regjistrohen si azil-kërkues, do të mbahen në qendra të posaçme për deri në 45 ditë.

Ndërkohë, presidentët e Hondurasit dhe Guatemalës janë takuar për të diskutuar se si të ndalojnë karvanin e emigrantëve. Ata kanë diskutuar edhe mundësitë për të dërguar personel të posaçëm në Meksikë, që të ndihmojë me kthimin e tyre në vendet përkatëse.

FOTO GALERI
1/25

Top Channel