Rreth 60 persona rezultojnë tashmë të vdekur, pas ngjarjes tragjike të një dite më parë, kur një tren u përplas me një turmë njerëzish që po shikonin një shfaqje fishekzjarresh në Indi. Dhjetëra të tjerë janë të plagosurit e aksidentit, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Situata e pazakontë bëri që spitalet lokale të mos kishin më hapësira për trupat e pajetë, duke i detyruar autoritetet shëndetësore t’i linin disa prej tyre jashtë. Fatkeqësia, që ndodhi në Amritsarin verior gjatë së premtes, nxiti sërish thirrjet për reforma sa i përket sigurisë në sistemin hekurudhor të tronditur thellë nga aksidentet në Indi, aty ku regjistrohen mijëra të vdekur çdo vit.

Raportimet e djeshme thonin se treni goditi një turmë njerëzish, që ishin mbledhur mbi shina për të parë djegien e një portreti të mbushur plot me fishekzjarre të mbretit demon Ravana, pjesë e një festivali hindu.

  Shtypen nga treni, mbi 50 viktima në Indi

Policia tha se viktimat nuk e kishin dëgjuar zhurmën e trenit ekspres Jalandhar-Amritsar, për shkak të zhurmës që kishin shkaktuar fishekzjarret. Gjithsesi, ky ishte treni i dytë që u përplas me ta, pasi një tjetër kishte kaluar fatmirësisht pa shkaktuar viktima vetëm dy minuta më herët.

Për shkak të përplasjes së rëndë, policia thotë se identifikimi i viktimave mund të kërkojë disa ditë. Deri më tani janë konfirmuar 59 të vdekur dhe 90 të plagosur, ndërsa të identifikuar janë vetëm 25 trupa.

Top Channel