Mijëra aktivistë pro pavarësisë së Tajvanit kanë zbritur në rrugë gjatë kësaj të shtune, në një miting madhor që mbahet kundër Pekinit dhe kundër qeverisë së sulmuar ashpër të ishullit.

Protesta që Taipein qëndror vjen teksa Kina rrit gjithnjë e më shumë pretendimet e saj ndaj ishullit të vetëqeverisur demokratik dhe kur presidenti Tsai Ing-wen po lufton për të qetësuar Pekinin dhe fraksionet që kërkojnë mëvetësi.

Kjo e sotmja ka qenë protesta më madhore e parë ndonjëherë në kërkim të referendumit për pavarësi, që kur Tajvani u bë një demokraci mbi 20 vite më parë. Organizatorët pretenduan se pjesëmarrja i kalonte shifrat e 80 mijë njerëzve, ndërsa përllogaritja nga forcat e rendit ende mungon.

Demonstruesit u mblodhën jashtë selisë së Partisë së Progresit Demokratik (DPP), duke thirrur slogane të ndryshme dhe duke mbajtur flamuj, ku lexohej “Referendum për pavarësi”. Mes thirrjeve të turmës ishin “Duam referendum” dhe “Kundër aneksimit”.

Kina vijon ta konsiderojë Tajvanin si pjesë të territorit të saj që duhet ribashkuar, pavarësisht se dy vendet drejtohen nga qeveri të ndryshme që prej fundit të luftës civile të vitit 1949. Tajvani nga ana tjetër e konsideron veten një shtet sovran, me monedhën e saj, sistemet politike dhe të drejtësisë, por nuk ka shpallur kurrë pavarësinë formale nga Kina.

Pekini ka paralajmëruar se do të përdorë forcën, nëse Tajvani përpiqet të ndahet zyrtarisht.

Top Channel