Skuadrat udhëtuese kanë arritur fitore në dy ndeshjet e para të javës së 9 të Kategorisë Superiore.

Kukësi mundi 1-2 me përmbysje ndaj Kastriotit, ndërkohë që Teuta i shkaktoi humbjen e parë sezonale Laçit, në një ndeshje që u luajt në “Elbasan Arena”, por ku Laçi konsiderohej vendas.

Kastrioti zhbllokoi shifrat në minutën e 21 me brazlianin Roger, të cilin e ka huazuar pikërisht nga skuadra verilindore. Gjithsesi, në fillimin e pjesës së dytë i njëjti lojtar humbi shansin ideal për të dyfishuar shifrat, duke gabuar nga 11 metra distancë, me Frashërin që priti penalltinë.

Një minutë më pas, kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti barazoi shifrat, ndërsa në minutën e 84-t braziliani Ëilliam Cordeiro Melo realizoi golin e tij të parë me fanelën e Kukësit, duke i dhënë fitoren skuadrës së Cungut.

Teuta fitoi me rezultatin 0-3 në “Elbasan Arena”, një ndeshje që u kushtëzua nga kartoni i kuq që mori sulmuesi i kurbinasve Xhixha që në minutën e tretë, pas një ndërhyrjeje të rëndë. Për Teutën realizuan Amadu Latif dhe Gerhard Progni, ndërsa sulmuesi afrikan realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 72-të.

Top Channel