Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve, deklaroi në studion e lajmeve të Top Channel se paratë nga jashtë do të intimidojnë dhe shantazhojnë mediat shqiptare për të mbajtur qëndrime të caktuara për çështje kombëtare.

“Së pari, ekziston rreziku i intimidimit të mediave, gazetarëve dhe grupeve për qëndrime të caktuara. Së dyti mund të flasim për një shantazhim në momente dhe konjuktura të caktuara të debateve për çështje kyç të Shqipërisë dhe së treti, unë mendoj se kjo krijon edhe diversitet të panevojshëm për çështje të rëndësisë kombëtare dhe të integritetit kombëtar”, deklaroi kreu i Unionit të Gazetarëve.

Sipas Çipës, në pikat e kalimit kufitar me Greqinë ekzistojnë emra të gazetarëve shqiptarë që duhen ndalur apo zvarritur në punën e tyre, për shkak të qëndrimeve kombëtare.

“Në dijeninë tonë ekzistojnë në pikat e kalimit kufitar me vendet fqinje, porosi të posaçme për të mbajtur nën vëzhgim, penguar, vonuar dhe konsideruar të padëshirueshëm një listë të disa gazetarëve dhe opinion-bërësve shqiptarë”, tha Çipa.

Top Channel