Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu u ka kërkuar autoriteteve kosovare kthimin në Turqi të pjesëtarëve të organizatës “Feto”, që Turqia e cilëson si organizatë terroriste.

Të premten në orët e vona, ministri i Jashtëm i Turqisë u prit në Prishtinë fillimisht nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli dhe më pas edhe nga Presidenti Hashim Thaçi. Dy zyrtarët e lartë të Kosovës nuk folën për kërkesën e Turqisë, por ishte vetë Çavuşoğlu, i cili ka thënë se Kosova nuk duhet të lejojë shtrirjen e veprimtarisë së organizatës “Feto”, në Kosovë.

“Ne nuk duam që Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë puç në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush në Turqi të bënte ndonjë veprimtari ilegale për Kosovën e lëre më ndonjë puç. Ne do t’i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të tentonin diçka të tillë”, deklaroi Cavushoglu.

Të njëjtën kërkesë shefi i diplomacisë turke e bëri edhe për qeverinë e Shqipërisë një ditë më parë dhe mori përgjigje negative nga homologu shqiptar, ditmir bushati. Ndërsa zyrtarët kosovarë, kanë evituar në deklaratat publike të japin një përgjigje.

Në 29 mars të këtij viti, Policia e Kosovës pati arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq. Pesë prej tyre ishin punonjës në rrjetin e shkollave “Mehmet Akif”.

Arrestimi dhe dëbimi i gjashtë shtetasve turq, pati ndezur debat të ashpër në skenën politike kosovare. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës ishin kundër këtij dëbimi dhe kjo ndodhi siç thanë ata “pa dijeninë e tyre”.

Top Channel