Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se, apeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e Misionit paqeruajtës të OKB-së nga Kosova, do ta linte Beogradin pa zgjidhje tjetër përveçse të mbrojë njerëzit e tij atje.

Vuçiç nuk tha konkretisht se çfarë lloj veprimi mund të ndërmarrë Serbia në Kosovë. Kërcënimi i presidentit serb erdhi pas thirrjes së bërë nga ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, për të përpunuar “strategjinë e daljes” së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të njohur si UNMIK.

Arsye shqetësimi për Vuçiçin nuk përbën vetëm largimi i UNMIK-ut, por edhe formimi i ushtrisë së Kosovës. NATO e bëri të qartë një ditë më parë se, nëse mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës zgjerohet, Këshilli i aleancës së Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka dërguar tri projektligje për miratim në Kuvend, përmes të cilave parashikohet që FSK-ja të ketë kompetencat e një ushtrie të rregullt. Ndjekja e kësaj procedure u vendos pasi deputetët e “Listës Serbe” e bënë të qartë se nuk do ta votojnë ndryshimin e statusit të saj përmes amendamenteve kushtetuese.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin pati deklaruar se, “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

Top Channel