Pensionistë, gra e burra, por edhe të rinj të papunë i ndesh kudo nëpër rrugët e Durrësit, teksa tregtojnë veshje dhe objekte të çfarëdoshme të dorës së dytë, për të siguruar pak të ardhura dhe për të mbajtur familjen.

Në fillim të këtij viti, bashkia u përpoq të formalizonte këtë veprimtari tregtare që mundësonte dhe largimin e këtyre tregtarëve nga rrugët, bashkë me sendet e vjetra që shesin. Shumë prej tyre u larguan nga tregu i krijuar dhe u kthyen në rrugë, ndërsa ata që kanë mbetur në treg protestuan sot para Bashkisë së Durrësit.

“Kemi qenë tregtarë të rrugës e na grumbulluan te tregu pranë Kryqit të Kuq. Por një pjesë u largua dhe vijoi të shesë nëpër rrugë dhe vetëm pak ngelëm aty. Fuqia blerëse është shume e ulët. Blerësit nuk kanë pse të vijnë te tregu, pasi e gjejnë më lirë dhe më pranë nëpër rrugë”, thonë tregtarët.

Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e Policisë Bashkiake, si dhe kushte më të mira pune në tregun ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Top Channel