Donald Trump ka thënë gjithnjë se është bërë miliarder me forcat e veta. Presidenti amerikan këmbëngul se pasuria që ka marrë nga babai i tij, Fred, një ndërtues njujorkez, ishte vetëm 1 milion dollarë, në formë borxhi, të cilën ai ia ktheu menjëherë.

Një hetim i ndërmarrë nga New York Times (NYT) arriti në përfundimin se Trump kishte marrë 50 herë më shumë se aq, dhe jo vetëm që nuk i ka kthyer paratë, por edhe transfertat kanë qenë të dyshimta.

Gazeta hetoi më shumë se 100,000 faqe me dokumente, që nga deklarimet e pasurisë e deri te të dhënat bankare. (Por jo taksat që i rikthehen presidentit pasi kryen pagesat, të cilat ai refuzon t’i bëjë publike.)

Në vitin 1990, NYT thotë se Trump ka qenë pjesë e skemave të dyshimta për taksat, të cilat përfshinin raste mashtrimesh të drejtpërdrejta. Përfundimi i artikullit është që Trump e ka përvetësuar “perandorinë financiare”  të të atit dhe e ka quajtur si arritje të  tijën.

NYT ka numëruar 295 burime të të ardhurash që Fred Trump u ka lënë djalit të tij, Donald Trump, dhe fëmijëve të tjerë. Donald ka marrë 413 milionë dollarë nga i ati, kryesisht nëpërmjet transferimit të pronave dhe nëpërmjet “huave”, shumë prej të cilave nuk i ka shlyer asnjëherë. Po të ishin futur në ndonjë fond, tani do të vlenin rreth 2 miliardë dollarë.

Disa nga manipulimet financiare që përshkruhen nga NYT duken si shfrytëzim i boshllëqeve ligjore, që do të thotë se janë lëvizje dredharake, por brenda kufijve të ligjit. Të tjera dukeshin drejtpërsëdrejti si mashtrim me taksat, sipas New York Times.

Eskpertët me të cilët u konsultua gazeta vunë re një prirje për “fshehje dhe për gënjeshtra”, sidomos për sa i përket mënyrës se si janë vlerësuar ndërtesat. Anëtarët e familjes Trump ishin bërë mjeshtra për t’ia ulur vlerën pronave duke ia dhuruar njëri-tjetrit apo duke i trashëguar, në mënyrë që t’u uleshin taksat.

Dokumentet tregojnë se fëmijët e Fredit e morën drejtimin e perandorisë së tij financiare në vitin 1997, 19 muaj para se të vdiste. Vlera e regjistruar e pronave në atë kohë ishte 41 milionë dollarë. Ndërtesat u shitën përgjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm me një çmim gati 16 herë më të lartë. Transferimet dhe shitjet u kanë dhënë mundësi fëmijëve të Fred Trump që të shmangin me qindra miliona dollarë në taksa.

Një shembull i qartë mashtrimi, sipas hetimit, ishte një kompani e quajtur “All County Building Supply and Maintenance”, e krijuar nga familja në vitin 1992.  Qëllimi i regjistruar ishte që të blinte pajisje dhe furnizime për ndërtesat e Fred Trump. Në fakt, sipas NYT, ishte një mënyrë për të transferuar më shumë pasuri te fëmijët e tij, nëpërmjet blerjeve që ishin bërë nga punonjësit e kompanisë.

Presidenti i ka mohuar akuzat si “të mërzitshme” dhe “sa për zhurmë”. Një avokat i presidentit Trump i quajti “100% të rreme” dhe “shpifje”. Ai shtoi se Trump nuk ka pasur asnjë përfshirje në lidhje me taksat e familjes në të shkuarën. Aleatët e presidentit thonë se transaksionet në fjalë janë hetuar prej kohësh nga autoritetet dhe nuk janë quajtur të paligjshme.

Departamenti i Taksave në Nju Jork, ndërkohë, njofton se kanë nisur hetimet. Por edhe sikur disa nga transaksionet të jenë të ligjshme, pak gjasa ka që të çojnë drejt një gjykimi kriminal, për shkak se ligjet me ashpërsi të tillë janë të kufizuara. Megjithatë, për evazion fiskal mund të gjykohesh kurdoherë, pavarësisht se kur është kryer shkelja.

The Economist

Top Channel