Në harkun e këtyre viteve, portieri veteran Gianluigi Buffon ka parë me dhjetëra talente në fushën e lojës, por asnjë nuk e ka surprizuar kaq shumë sa Kylian Mbappé.

Kur po afrojnë javët për të zyrtarizuar fituesin e “Topit të Artë”, mbrojtësi ekstrem i Paris SG, që kaloi me bujë këtë verë në kampionatin francez, mendon se talenti ofensiv i kombëtares meriton majën e podiumit.

“Duke parë kualitetin e tij në fushën e lojës dhe duke llogaritur sesa vendimtar ishte gjatë Botërorit të kësaj vere, nuk kam dyshim se Kylian Mbappé meriton më shumë sesa të gjithë ‘Topin e Artë’. Nuk mund të ketë vlerësim ndryshe për të. Ka një talent të jashtëzakonshëm dhe cilësi që nuk i kam parë te të tjerët. Është një fenomen dhe, nëse do të jetë ambicioz, do të ketë karrierë të gjatë”, tha italiani Buffon.

Portieri i parizienëve nuk preferoi të përmendë asnjë nga rivalët e tjerë në garë, që kanë po kaq kuota për të fituar sa sulmuesi francez. Buffon sugjeron Kylian Mbappénë, më shumë sesa kroatin Modriç, portugezin Ronaldo apo argjentinasin Lionel Messi.

Top Channel