Çështja e shumëdiskutueshme e borxheve ndaj futbollistëve u rikthye në një temë aktuale për Tiranën, pas mbledhjes së fundit të Komisionit të Disiplinës, që iu la afat bardhebluve për të likujduar pagesat.

Ekipi kryeqyteas, që ndryshoi trajner para pak ditësh pas rezultateve negative, detyrohet tani të futet në garë me kohën për pagat e prapambetura ndaj mesfushorit Gjergji Muzaka.

Tirana detyrohet të ekzekutojë pjesën e mbetur të detyrimeve financiare ndaj lojtarit aktual të Skënderbeut, brenda një afati 30-ditor. Bardheblutë do të duhet të likujdojnë borxhet ndaj Muzakës, që fillimisht ishin 10.7 milionë lekë. Bardheblutë janë paralajmëruar se, në rast se kjo nuk do të ndodhë, do të merren masa.

Si të mos mjaftonte kjo, sulmuesi Grent Halili, djali i presidentit të bardhebluve është dënuar dy ndeshje për protesta, e si për ironi të fatit, Kleo Laska, djali i presidentit të Laçit u dënua me të njëjtin motivacion.

Në diskutimin për ekipet, më keq e pësoi Luftëtari, që do të luajë një ndeshje pa tifozë në stadiumin e Gjirokastrës, për sjellje të gabuar të mbështetësve të tij.

Top Channel