Përgjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore, 50 mijë vajza norvegjeze u dashuruan me ushtarë dhe zyrtarë gjermanë, duke pasur edhe fëmijë prej tyre.

Pas çlirimit të vendit, këto vajza u diskriminuan dhe u persekutuan deri në dërgimin e tyre me forcë në Gjermani, duke i përjashtuar nga vendlindja.

Sot, pas disa dekadash, qeveria norvegjeze e drejtuar nga kryeministrja konservatore, Erna Solberg, ka vendosur t’u kërkojë falje vajzave, që me përçmim dhe me gjuhë raciste cilësoheshin si “vajzat gjermanike” ose “femrat e gjermanëve”.

Dashuritë spontane mes vajzave norvegjeze dhe ushtarëve gjermanë ishin të shumta. Gjithashtu, këto lidhje u stimuluan nga shefi i SS-ve, krimineli nazist Heinrich Himmler, i dënuar më pas me vdekje dhe i ekzekutuar bashkë me krerë të tjerë të regjimit nga forcat fitimtare, pas gjyqit të Nurembergut.

Himmler në fakt, veçanërisht popullin norvegjez e konsideronte të kulluar, porsi raca ariane. Kësisoj, shumë shpesh, vajzat norvegjeze shtatzëna prej dashurive me ushtarët gjermanë shtroheshin për të lindur në “qendrat Lebensborn”, rrjet hostelesh ku Rajhu i Tretë favorizonte takime seksuale mes arianëve, për të prodhuar pikërisht racën superiore.

Kryeministrja aktuale e Norvegjisë është shprehur në 70-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut se, vajzat dhe gratë norvegjeze që patën raporte me ushtarakë gjermanë përgjatë pushtimit nazist, u bënë viktima të pasluftës për trajtime të padrejta dhe të padenja.

Ajo tha gjithashtu se në atë periudhë, autoritetet norvegjeze dhunuan rëndë parimin që askush nuk mund të dënohet pa proces, ose të ndëshkohet jashtë juridiksionit ligjor. Për shumë nga ato gra, takimet me gjermanët ishin vetëm dashuri të çiltra, flirtime të pafajshme, që i paguan shtrenjtë për të gjithë pjesën e mbetur të jetës.

Top Channel