Mbrëmja pasi Napoli fitoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Liverpoolit në Champions, nuk shkoi shumë mirë për sulmuesin polak Arkadiuz Milik.

Ky i fundit ra pre e një sulmi nga ana e grabitësve, të cilët i morën një orë dore Rolex, shumë të kushtueshme, ndërsa fillimisht u fol se e kishin kanosur me armë.

Vetë sulmuesi polak, në një intervistë të transmetuar në Youtube, në prani të portierit të Juventusit Szczesny dhe të çiklistit polak Wisniowski, tregoi ndodhinë e asaj nate.

“Askush nuk më ka kërcënuar me pistoletë. Napoli është një qytet normal, por që tregojnë një kujdes të lartë për orët dhe bizhuteritë. Me shumë mundësi, për këtë arsye nuk të lënë t’i ekspozosh. Atë natë nuk prisja të kisha probleme, ndonëse kisha orën në dorë. Pas grabitjes kam marrë një dyzinë mesazhesh në Instagram, ku më pyesnin për llojin e orës”, tregon polaku.

Arkadiuz Milik jeton në Napoli prej më tepër se dy vitesh, por ka mësuar se edhe futbollistët e tjerë napolitanë kanë rënë pre e grabitjes. Ai tregon incidentet e tilla me kapitenin e Napolit, sllovakun Marek Hamsik, ndërsa me humor shprehet se ka 50% shanse që të ketë sërish orën e tij.

“Marek Hamsik është përballur dy herë me një situatë të tillë. Herën e parë ia kthyen sërish orën, ndërsa të dytën jo. Kështu, edhe unë kam 50% mundësi të rimarr orën time”, deklaroi Milik duke qeshur.

Top Channel