Në prag të derbit Inter-Milan, i cili do të zhvillohet mbrëmjen e së dielës, ka folur ylli i sulmit të kuqezinjve ku janë varur shpresat e tifozëve, Gonzalo Higuain, i cili është shprehur se dëshiron që në derbin e tij të parë të lërë gjurmë, duke gjetur golin.

“Luhet 11 kundër 11, plus tre zëvendësime për çdo skuadër. Shpresoj që edhe unë të debutoj me gol në derbi e të bëj pjesë në klubin e këtyre emrave të mëdhenj, por gjeja më e rëndësishme është të fitojmë, jo kush shënon. Çfarë i kam zili Icardit? Goditjen me kokë, është vrasës brenda zonës.”

Që të mësohesh me fitoret, në radhë të parë duhet të mendosh që të mos humbasësh me askënd. E kjo sjellje i kujton Juventusin, ku suksesi është më shumë se një zakon. Por çfarë ndodhi në të vërtetë që u largua nga bardhezinjtë? A ishte përcaktues fakti që qëndroi në stol në finalen e Kupës së Italisë pikërisht ndaj Milanit?

“E ndjeva nga brenda që diçka ishte thyer. Pastaj morën Ronaldon, sepse donin të bënin një hap të madh në cilësi. Ata më thanë që nuk mund të qëndroja, por unë nuk kërkova që të largohesha. Për mua Milani ishte zgjedhja e duhur. Praktikisht, ndodhi ajo që e thonë të gjithë, më përzunë, por unë nuk kam ndjenjën e hakmarrjes për ta.”

Gjithsesi, Juventusi për Higuainin mbetet pikë referimi, përtej faktit që është rivalja e madhe në futbollin italian.

“Kampionati është një kompeticion ku vendos vazhdimësia. Na mungon ende diçka, por qëllimi është të luajmë në Champions sezonin tjetër. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur. Kemi humbur 5 pikë mes Napolit dhe Atalantës. Nëse nuk do të gabonim, do të ishim ngjitur me Juven në klasifikim.”

Pikërisht për këto pikë të humbura në shënjestër u vu trajneri Gattuso.

“Me misterin po përmirësohem, është një person që e dëshiron futbollin, si Sarri. Ka një dëshira të çmendur për të fituar. Është shumë kërkues, por jep jetën për futbollistët e tij. Për këtë arsye e duan. Sarri mbetet më miri me të cilin kam punuar, ndërsa Gattuso i ngjan.”

Higuain shpjegoi se vendosi të transferohej te Milani sepse klubi e kërkoi me ngulm, ndërsa te Chelsea e donte vetëm Sarri. Për “El Pipitan” idhull mbetet Ronaldo, “Fenomeni”, ndërsa pranoi se do t’i pëlqente të luante përkrah një sulmuesi të madh si Zlatan Ibrahimovic.

Top Channel